SËMUNDJET E BLETËVE
Sikurse të gjithë organizmat e gjallë, edhe bletët ballafaqohen me sëmundje të ndryshme. Prezenca e sëmundjes në bletore automatikisht ndikon në uljen e rendimentit të produkteve të bletës. Për ketë arsye faktor kyç në bletore është mbajtja nën kontroll e sëmundjeve eventuale nëse paraqiten masat preventive.
Duke pas parasysh këtë, ç’do bletarë duhet ditur se cilat janë masat preventive që duhet ndërmarrë. Së pari duhet ditur veçoritë e sëmundjeve më të shpeshta që sulmojnë bletët, parazitëve të tyre, mënyrat e bartjes, mjetet dhe metodat kryesore që përdoren në luftë kundër tyre etj.
1. PRINCIPET THEMELORE TË PARAQITJES SË SËMUNDJEVE TË BLETËVE DHE LUFTA KUNDËR TYRE
Sëmundjet e bletëve ndahen në :sëmundjet e bletëve të rritura, sëmundjet e pjellës dhe sëmundjet e mëmës. Mirëpo disa sëmundje janë të përbashkëta edhe për bletët e rritura edhe për pjellën. Disa sëmundje mund të jenë si rezultat i veprimit të faktorëve jo të volitshëm të ambientit të jashtëm, apo të ndonjë faktori të gjallë specifik.
Si faktorë specifik të sëmundjeve të ndryshme mund të jenë: bakteret, viruset, rikeciet,kërpudhat,këpushat etj.
Bletët si individ posedojnë mekanizma mbrojtës qelizor dhe humoral si dhe enzime dhe proteina antibakteriale. Depërtimin e mikroorganizmave në hemolimfë së pari e pengon kutikula e zorrës së mesme dhe kutikula e trakejeve. Nëse këto dy barriera janë të dëmtuara për një shkak apo tjetër, atëherë aktivizohet sistemi mbrojtës qelizor dhe humoral. Si komponent themelore e mbrojtjes qelizore janë hemocitet, ndërsa për mbrojtjen humorale janë të angazhuar shumë faktorë siç janë: lizozima, apidecinet, abecina dhe himenoptecina (Glinski dhe Jarosz, 1995). Po ashtu edhe një numër i madh i substancave ndikojnë në rritjen e fuqisë mbrojtëse siç janë: acidi azelanik dhe acidi pimelinik që përmenden si hormone të mbijetesës, sepse ndikojnë në mënjanimin e streseve të bletëve të rritura, duke vepruar në metabolizmin e yndyrave (Jorand me bashkëpunëtorë 1989).
Po ashtu edhe familja e bletës si tërësi ka ndërtuar një varg mekanizmash mbrojtës siç janë: moskryerja e nevojës brenda në zgjua, nëse bletët janë të infektuara ato nuk do të kthehen më në zgjua, mirëpo edhe nëse kthehen bletët rojtare në derë të zgjoit nuk do t’i lejojnë të futen brenda ( Ritter , 1996). Humbja e bletëve të infektuara në masë të madhe do të ndikoj në fuqinë e familjes mirëpo aftësia reproduktive e mëmës në masë të konsiderueshme do ta zbus këtë fenomen.
Burimi i infeksionit – Para se gjithash burim infeksioni janë bletët e sëmura. Në burimet tjera bëjnë pjesë: fekalijet e bletëve të sëmura, mjalti i infektuar, pjesët e zgjoit të infektuar, mjetet e infektuara, toka,uji i infektuar etj.
Dera hyrëse e infeksionit – Më së shpeshti deri te infeksioni vije nëpërmes të organeve të tretjes, mirëpo deri të infeksioni mund të vije edhe nëpërmes të organeve të frymarrjes dhe kutikulës së dëmtuar.
Virulenca - Është aftësi e mikroorganizmit për të shkaktuar sëmundje. Kjo veçori është e ndryshme sepse në të mund të ndikojnë faktor të ndryshëm fiziko – kimik (p.sh drita e diellit dhe temperatura mund të ndikojnë në zvogëlimin e virulencës së mikroorganizmave). Për paraqitjen e infeksionit rëndësi të veçanet ka edhe sasia e mikroorganizmave kështu që për llojet me virulencë të lartë zakonisht nevojitet një numër i vogël i mikroorganizmave dhe e kundërta.
Pranueshmëria – Paraqet veçorin e mikroorganizmave që posedojnë kushte për ekzistencë , respektivisht pranueshmëria është e kundërta e rezistueshmëris së organizmave ndaj shkaktarëve të sëmundjes në pranueshmëri ndaj ndonjë shkaktari të sëmundjes mund të ndikojnë: stadi i zhvillimit (p.sh disa sëmundje paraqiten ekskluzivisht në pjellë ), vjetërsia (disa sëmundje paraqiten vetëm te bletët e reja), gjinia, kushtet e mbajtjes, të ushqyerit, shkalla e shfrytëzimit, ekzistenca e ndonjë sëmundje tjetër, transporti dhe shqetësimet tjera.
Rrugët e bartjes së sëmundjes - Mundësojnë kontaktin në mes të shkaktarit të sëmundjes dhe marrësit. Bartës mekanik mund të jenë: vetë njeriu, bletët, insektet e ndryshme, brejtësit etj. Bletari mund të shpërndaj sëmundjen me anë të mjeteve të cilat i përdor në bletore, duarve, kornizave, bashkimin e familjeve, gjatë shpërnguljeve dhe aktiviteteve tjera në bletari. Pra njeriu është një faktorë mjaft me rëndësi si në pengimin e përhapjes së infeksionit njashtu edhe në përhapjen e tij.
Faktorët jo specifik, përpos karakteristikave të shkaktarit dhe individit marrës do të ndikojnë se a do të paraqitet infeksioni apo jo, nëse paraqitet a do të përhapet dhe si do të jetë rrjedha e tij. Në pengimin apo zvogëlimin e faktorëve jo specifik mund të veprojmë në disa mënyra: me zgjedhjen e vendit të bletores, me mirëmbajtjen e zgjojeve, mundësimi i mbajtjes së mikroklimës në zgjua dimërimi adekuat, mbajtja e numrit optimal të individëve në zgjua etj.Rëndësi të veçanet si masë preventive ka mbajtja nën kontroll e gjendjes shëndetësore ne bletore.
1. Mekanizmat mbrojtës të bletëve nga bakteret
Bakteret janë organizmat më të përhapur në natyrë. Këto ndodhen në tok, ujë, ajër, bimë, shtazë, ushqimin e bletëve etj. Mirëpo fatbardhësisht shumica e baktereve nuk janë patogjene (nuk shkaktojnë sëmundje), disa prej tyre janë patogjene vetëm në kushte të caktuara (p.sh me rastin e zvogëlimit të rezistencës ndaj florës bakteriale të traktit digjestiv, ndërsa një numër shumë i vogël bakteresh janë ekskluzivisht patogjene. Disa lloje bakteresh në kushte të pavolitshme formojnë spore të cilat janë shumë rezistente ndaj kushteve të ambientit të jashtëm (mund tu përballojnë temperaturave të larta deri në 120°C disa minuta, mungesës së ujit temperaturave të ultë etj) dhe në këtë gjendje të mbijetojnë me vite të tëra dhe në momentin kur u krijohen kushtet për jetë normale të aktivizohen dhe të fillojnë të shumohen.
Deri te infektimi me baktere mund të vije nëpërmes të ushqimit të infektuar , nëpërmes të organeve të frymëmarrjes dhe nëpërmes të lëndimeve në kutikulë të shkaktuara nga varroat (Glinski dhe Jarosz 1992). Ç’do lëndim i kutikulës apo murit të traktit digjestiv paraqet portë hyrëse të baktereve. Bakteret të cilat depërtojnë barrierat anatomike dhe ndodhen në hemolimfë, vejnë në lëvizje sistemin imunologjik të bletëve.
Në hemolimfën e bletëve ndodhet një numër i konsiderueshëm i hemociteve, qeliza të cilat kanë disa funksione e në mesin e tyre edhe fagocitozën (identifikimin e trupave të huaj dhe shkatërrimin e tyre me anë të gëlltitjes).
Hemocitet mund ti gëlltisin dhe ti shkatërrojnë trupthat më të vegjël se sa vetja siç janë: sporet e baktereve dhe kërpudhave. Nëse kemi të bëjmë me parazit më të mëdhenjë, grupe të bakterjeve apo hife të kërpudhave atëherë disa hemocite ndërtojnë kapsula përreth trupthave të huaj dhe në këtë mënyrë i izolojnë ata. Funksioni i hemociteve është që të mundësoj dhe ndihmoj shumë substanca p.sh lektinet në hemolimfën e bletëve, ndihmojnë identifikimin e trupthave të huaj dhe fagocitozën e tyre, pra këto marrin pjesë në mbrojtjen e organizmit. Lektina luan rol në të ushqyerit dhe zhvillimin e organizmit. Këto mendohet se janë të kyçura në riorganizimin e indeve dhe qelizave (Olafsen, 1986).
Hemokinet , grup i vogël proteinash sekretuese, paraqesin rregullator të rëndësishëm të sistemit imunologjik duke nxituar migrimin e hemociteve kah trupthat e huaj.(Chadwick dhe Aston, 1991).
Në mes të faktorëve mbrojtës humoral numërohen shumë substanca. Lizozima është produkt i gjëndrave me natyrë proteinike i cili zbërthen (tret) murin qelizor të baktereve. Bletët lizozimë tajojn në ushqimin e larvave, nektar, polen, dyllë dhe propolis. Koncentrimi i lizozimës në hemolimfën e larvave dhe bletëve të rritura sillet prej 5 µg deri në 25 µg /ml ndërsa në nimfa prej 5 – 10 µg/ml. Infektimi natyror apo artificial me baktere saprofite rrit koncentracionin e lizozimës në hemolimfën e larvave mbi 1300 µg/ml, ndërsa te bletët e fushës nuk tejkalon mbi 40 µg/ml. Supozohet se rritja e koncentracionit të lizozimës zvogëlon rrezikun e infektimit nga bakteret saprofite në stadin e larvës ( Glinski dhe Jarosz, 1993).
Pjesë të caktuara të murit qelizor të baktereve, nën ndikimin e lizozimës tërheqin substanca antibakteriale siç është apidecina. Forma aktive biologjike e këtyre substancave paraqitet në hemolimfën e bletëve të rritura, ndërsa në fazën e fundit të stadit larvor ndodhen molekula prekursore jo aktive. Mirëpo rrezikun nga infeksioni i pjellës me baktere të cilin mund ta bartin bletët punëtore, përpos rritjes së koncentracionit të lizozimës e zvogëlon edhe prezenca e faktorëve antibakterial të cilët ndodhen në qumështin e bletëve, mjaltë dhe polen. Koncentracioni më i madh i apidecinës në hemolimfën e bletëve paraqitet 36 orë pas infektimit, ndërsa 3 – 4 ditët e ardhshme gradualisht bie. Veprimi i tyre nuk është specifik dhe është relativisht i një spektri të gjerë veprues ndaj llojeve të ndryshme të baktereve dhe kryesisht vepron në pengimin e shumimit të tyre.
Proteina e dytë antibakteriale e cila është zbuluar tek bletët është abecina , kjo substancë ka spektër të ngushtë veprimi, mirëpo me veprimin e vet në membranën e jashtme bakteriale mundëson veprimin e lizozimës dhe apidecinës.
Apidecina dhe abecina paraqesin nivelin më të lartë adaptues të sistemit imunologjik të bletës mjaltëse i cili u mundëson shkatërrimin e baktereve patogjene me prejardhje nga bimët dhe ambienti rrethues i bletëve.
Faktori i tretë nga hemolimfa është himenoptecina. Për inicimin e krijimit të kësaj substance nevojitet një sasi më e madhe e baktereve dhe lajmërohet shumë më vonë pas infektimit, dhe ndodhet në koncentracion më të vogël sesa apidecina.
1.2. Mekanizmat mbrojtës të bletëve nga viruset
Deri më tani janë të njohur mbi 18 lloje të viruseve të cilët parazitojnë te bletët. Të gjitha sëmundjet virusale janë specifike vetëm për një fazë të zhvillimit të bletëve p.sh paraliza akute, paraliza kronike e deformimit të krahëve paraqiten vetëm te bletët e rritura, ndërsa viruset që shkaktojnë pjellën me qeskë të fryrë, pjellën e amësorëve të zi janë të lidhur vetëm me stadin e larvave.
Viruset janë mikroorganizma të cilët mund të shumohen vetëm në brendësi të trupit të qelizave të gjalla, ndërsa jashtë qelizave nuk janë shumë rezistent. Një kohë të gjatë prezenca e tyre në qeliza nuk do të vërehet , do të kaloj pa pasoja, infeksioni latent. Mirëpo gjatë situatave >> stresuese << për organizëm vije deri te shumimi i vrullshëm i viruseve, me ç’rast shkatërrojnë qelizat e infektuara ku lirohet një numër i madh i trupave virusal (virioneve), të cilët sulmojnë qelizat tjera. Viruset e bletëve janë politrof, respektivisht sulmojnë shumicën apo të gjitha indet e nikoqirit dhe kanë të zhvilluar mekanizmin që zvogëlon aftësinë mbrojtëse të bletëve. Mu këta mekanizma ju mundësojnë që të kalojnë një periudhë të gjatë në nikoqir (Ratcliffe me bashkëpunëtor, 1985), me ç’rast individi latent i infektuar paraqet burim të infeksionit për individët tjerë në familje.
Rruga më e shpeshtë e infektimit të bletëve me viruse është nëpërmes të ushqimit të infektuar. Trupthat virusal mund të depërtojnë në qelizat epiteliale të zorrës së mesme, apo të depërtojnë murin zorror dhe të bien në kontakt me qelizat trupore.
Në shumimin e viruseve dhe paraqitjen e infeksioneve virusale ndikojnë shumë faktorë jo imunologji të bletëve. Për të ardh deri të infeksioni, para se gjithash nevojitet një numër i konsiderueshëm i trupthave virusal, sepse vetë përmbajtja e zorrëve të bletëve është ambient i papërshtatshëm për viruse. Në shumicën e rasteve membrana peritrofe e organizmit kufizon infeksionin sepse është e papërshkueshme për viruse apo më shumë vështirësi mund të depërtojnë grimcat virusale qelizat epiteliale dhe të vijnë në kontakt me qelizat trupore (Smith me bashkëpunëtor, 1993). Kusht për të depërtuar virusi në qelizë është që ai të lidhet me receptorë specifik i cili ndodhet në sipërfaqen e qelizave të caktuara. Mos ekzistenca e këtyre receptorëve, apo bllokimi i tyre pengon depërtimin e viruseve në qeliza. Një ndër mënyrat e pengimit të shumimit të viruseve është prodhimi i substancës interferone nga ana e qelizës së infektuar gjatë disa orëve të para pas infektimit. Interferonet e insekteve janë: glikoproteine që supozohet se veprojnë ngjashëm si te gjitarët.
Infeksionet virusale te qelizat zgjojnë edhe mekanizmat jo specifik mbrojtës siç është fagocitoza. Me fagocitozë mund të mënjanohen grimcat virusale që ndodhen në hemolimfë respektivisht jasht qelizave. Hemocitet mund të eliminojnë një numër të vogël të viruseve me shkall të ulët virulente (Glinski dhe Jarosz, 2001).
1.3. Mekanizmat mbrojtës të bletëve nga kërpudhat patogjene
Kërpudhat (Fungi) paraqesin një lloj të veçantë të mikroorganizmave të cilët me karakteristikat e veta dukshëm dallojnë nga të tjerët. Posedojnë spore të cilat pothuajse ndodhen qdokund. Si kërpudha patogjene për bletë numërohen: Ascosphaera apis, Aspergillus sp., Aureobasidium pullulans, Trichoderma lignorum, Mucor hiemalis, Rhizopus dhe tharmet Torulopsis (Glinski dhe Buczek, 2003). Veqoritë e llojit Aspergillus dhe Ascosphaera do të përshkruhen më vonë.
Mbrojtjen primare nga depërtimi i kërpudhave patogjene në trupin e bletëve e paraqet mbështjellësi kutikular i papërshkueshëm për to, pastaj përbërja biokimike e përmbajtjes zorrore si dhe membrana peritrofe e zorrës së mesme dhe sistemit të trakejeve (organeve të frymarrjes) si barriera mekanike dhe fiziologjike. Lagështia relativisht e vogël në trakeje është faktorë i pavolitshëm për mbirjen e sporeve dhe rritjen e kërpudhave në organet e frymarrjes se bletës. Dylli dhe acidet yndyrore të pangopura në përbërjen apo në sipërfaqen e kutikulës veprojnë si antifungicid. Bakteret të cilat përbëjnë florën normale të zorrëve të bletës eliminojnë një sasi të madhe të sporeve të cilat arrijnë këtu me ushqim. Mirëpo myku i cili tajon enzimën kitinaz, substancë e cila zbut kutikulën mundë të depërtoj këtë barrierë. Kutikula e cila është mekanikisht e dëmtuar mundëson depërtimin e baktereve gjë që është fatale për individin.
Pjesët e trupit të kërpudhave të cilat nuk mundë të zbërthehen në hemolimfë, bletët i inkapsulojnë me një numër të madh të hemociteve, ndërsa sporet dhe molekulat më të vogla hemocitet i asgjësojnë me fagocitozë. Fagocitoza dominon kur është prezentë një numër më i vogël i sporeve, ndërsa inkapsulimi (formimi i kapsulës përreth trupit të huaj) paraqet mënyrën më efikase në luftë kundër kërpudhave. Faktorët humoral (lizozima, apidecina etj.) nuk veprojnë kundër infeksioneve me kërpudha.
1.4. Mekanizmat mbrojtës të bletëve nga protozoat
Protozoat janë organizma njëqelizor, disa prej të cilëve parazitojnë me traktin digjestiv të bletëve me ç’rast sulmojnë qelizat epiteliale të zorrës së mesme (Nosema apis, Leidyana apis) apo sistemin ekskretor, gypthat e Malpigut (Malpighamoeba mellificae) vetëm te bletët e rritura (De Graaf me bashkëpunëtor, 1993: 1994).
Tek individët e sëmur nga nozemoza me gërryerjen e qelizave epiteliale të traktit digjestiv gjatë kalimit të mbetjeve ushqimore dhe eliminimit të tij me pegat, zvogëlohet mundësia e invazionit masiv të qelizave tjera epiteliale. Varirimi i rezistueshmëris ndaj nozemozës mund të jetë në lidhshmëri me aktivitetin e enzimit himozim në lukthin e bletëve, duke u bazuar në atë se ky enzimë shpejton ripërtëritjen e membranës peritrofe me ç’rast pengon sporet e N. apis të vijnë në kontakt të drejtpërdrejt me qelizat e epitelit të zorrëve.
Nëse sporet e parazitit arrijnë të depërtojnë në hapësirat trupore, hemocitet grumbullohen përreth parazitit duke e kryer fagocitozën apo ndërtuar kapsol. Gjatë invazionit progresiv, e sidomos kur është e shoqëruar edhe me infeksione bakteriale nëpërmes të qelizave të dëmtuara të epitelit zorror, mekanizmat mbrojtës nuk mund të pengojnë vdekshmërinë e bletëve.
Protozoa Malpighamoeba mellificae sulmon epitelin e gypthave të Malpigut (sistem ekskretor, analog me sistemin urinar të gjitarëve), i cili zakonisht zmadhohet dhe i nënshtrohet degjenerimit, gypthat e mbufatur shumë mund të pëlcasin duke shkaktuar përgjigje të lartë imunologjike. Mirëpo pasi që në trupin e bletëve krijohet një numër i vogël i cisteve parazite, rrjedha letale masive nuk është dukuri e shpeshtë. Barrierat anatomike mbrojtëse të zorrëve kufizojnë veprimin e parazitëve.
1.5. Mekanizmat dhe faktorët mbrojtës të bletëve si insekte sociale
Mekanizmat mbrojtës të familjes së bletës në tërësi bazohen në aktivitetin antibakterial të mjaltit, nektarit, polenit, produkteve të gjëndrave të bletëve si dhe aktivitetit antimikrobial të propolisit. Po ashtu sjelljet e veçanta, të ashtuquajtura shprehi e përbashkët higjenike e familjes, e mbron nga infeksioni bakterial dhe mykotik.
Aktiviteti antimikrobial i produkteve të bletës pengon zhvillimin e shumë baktereve saprofite dhe kërpudhave në ushqimin e deponuar dhe në mënyrë të efektshme vepron edhe kundër disa mikroorganizmave patogjen (Burgett, 1978). Mjalti dhe nektari kanë aktivitet antibakterial duke iu falënderuar aciditetit të tyre, shtypjes osmotike dhe ndërtimit të peroksidit të hidrogjenit (White dhe Subers, 1963).
Gjëndrat hipofaringiale të bletëve të reja tajojnë sekrecione të cilat veprojnë kundër një spektri të gjerë të llojeve të baktereve (Rose dhe Briggs, 1969). Në qumështin e bletëve janë identifikuar së paku dy faktorë inhibues : 10 - hidroksi – 2 – acid decenoik dhe glygozo oksidaza. Këto përpos që veprojnë në baktere, pengojnë apo ngadalësojnë rritjen e kërpudhave p.sh Ascosphaera apis (shkaktar i gëlqerosjes së pjellës). Propolisi , si produkt i bletëve që është një përzierje e dyllit, rrëshirës, vajrave dhe një sasie të vogël poleni përmbanë edhe fllavanone, fllavone , acidin kofeinik dhe estret e saja, të cilat janë bartës të aktivitetit antibakterial të propolisit (Greeneway me bashkëpunëtor ,1990). Mendohet se propolisi vepron edhe kundër kërpudhave, ndërsa është e njohur se bletët me propolis mbyllin vrimat e zgjoit, ballsamojn shtazët e mbytura të cilat nuk mund ti largojmë nga zgjoi (p.sh miun e mbytur).
Sjellja higjienike paraqet një aftësi të bletëve që shumë shpejtë e zbulojnë pjellën e sëmur apo të vdekur dhe menjëherë i largojnë ato larva nga qelizat dhe i pastrojnë ato rrënjësisht. Bletët punëtore e pastrojnë trupin e vet apo e pastrojnë njëra tjetrën, pastrojnë hojet dhe tërë mbeturinat i largojnë nga zgjoi.
Shprehia e sjelljes higjienike është shumë me rëndësi kur është në pyetje mbrojtja nga gëlqerosja e pjellës me ç’rast bletët punëtore mënjanojnë larvat e ngordhura nga pjella. Bletët të cilat nuk i mënjanojnë sporet e kërpudhave nga zorrët dhe nga qimet trupore, gradualisht i infektojnë larvat gjatë të ushqyerit të tyre, apo me anë të të prekurit infektojnë bletët tjera të zgjoit. Mbrojtja bazohet në aftësinë e disa bletëve punëtore që me proventikulum filtrojnë sporet apo pjesët e micelit të kërpudhave të cilat i marrim me ushqim.
Shfaqja e sjelljes higjienike te bletët është e rregulluar me gjene. Supozohet se këtë veçori e kontrollojnë 2 gjene recesive, njëri për të zbuluar larvat e sëmura të pavulosura, ndërsa i dyti për të mënjanuar larvat e unifikuara. Sjellja higjienike varet edhe nga fuqia e familjes së bletës (Taber,1992).
Lidhshmëria e sjelljes higjienike me rezistueshmërin ndaj disa sëmundjeve të caktuara është lëndë hulumtimi për shumë hulumtues. Spivak dhe Reuter (2001) kanë përshkruar mostrat në të cilat është krahasuar aftësia e familjeve të selekcionuara në bazë të shfaqjes së sjelljes higjienike, me ato të paselekcionuara për të reaguar në infektimet varrooze. Rezultatet kanë treguar se tek familjet e seleksionuara që nuk janë trajtuar më shumë se një vit kundra varroas, janë gjet më pak varroa në bletët e rritura dhe pjellën e tyre se sa tek familjet e pa seleksionuara. Familjet me shprehi higjienike kanë mund të mbrohen nga varroat derisa numri i parazitëve ka qenë relativisht i vogël. Për familjet e infektuara mbi 15% ka qenë i domosdoshëm trajtimi adekuat kundra varroas. Mirëpo infeksioni i pjellës te këto familje ka qenë dukshëm më i vogël sesa te ato të pa seleksionuara. Shembulli tjetër është eksperimenti të cilin e kanë përshkruar Masterman me bashkëpunëtor (2001) me të cilin është hulumtuar se a kanë aftësi familjet e seleksionuara në sjellje higjienike që të mund të dallojnë aromën e pjellës së sëmur nga ajo e shëndoshë, kur aroma është më me intensitet të dobët. Është vërtetuar se familjet e seleksionuara shumë më mirë reagojnë sesa familjet e pa seleksionuara për të cilat nevojitet aromë me intensitet më të lartë për ta zbuluar pjellën e sëmur. Kjo do të thotë se familjet e seleksionuara shumë më herët zbulojnë ndryshimet në pjellë, respektivisht kur numri i larvave të vdekura është i vogël.
Shënim:
Materialin e plotë do ta gjeni së shpejti në librin e dytë të autorit.